Raka i kërkon falje kryeministrit dhe stafit të tij për keqkuptimin e shkaktuar

12 maj 2020 | 08:32

Mikrobiologu profesor Lul Raka është sqaruar sot për deklaratën e djeshme në një intervistë dhënë për ‘Euronews Albania’, në të cilën media kishte thënë se kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij u është bërë testi për Covid-19 dhe rezultatet e tyre pritet të dalin në mbrëmje.

Këtë deklaratë të Rakës e ka demantuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ndërsa para pak minutash ka dhënë një sqarim edhe vetë prof. Raka. Ai ka sqaruar se pyetja e gazetares për marrjen e mostrave të kryeministrit e kishte vënë para aktit të kryer. Si rrjedhojë, Raka thotë se si në çdo rast tjetër rezultatet e testimeve nga IKShPK-ja dalin rreth orës 20:00 deri në 22:00.

“Biseda u zhvillua sot kah ora 16.30 pas kthimit tim nga terreni (spitali Sirona dhe Spitali i Gjilanit). Gjatë rrugës në radio dëgjova për vetizolimin e kryeministrit dhe kjo ishte krejt informata që kisha. Pyetja e gazetares për “kryeministrin, mostrat e të cilit janë marrë”, po ashtu më gjeti para aktit të kryer, se i paskan marrë edhe mostrat! Përgjigjja ime ishte në mbrëmje (sikur çdo natë). Kjo informatë paska zgjuar disa portale, të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar gjatë pandemisë për informimin e drejtë të qytetarit. Brumin ua paskam dhënë unë vetë. Prandaj, mbase edhe nga lodhja, por dua t’i deklaroj këto 3 gjëra pas këtyre leksioneve të mësuara”, ka shkruar Raka, i cili i ka ka kërkuar falje kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe stafit të tij.

 

Shkrimi i plotë i Rakës:

SQARIM PËR ZHURMËN E KRIJUAR PËR TESTIMIN E KRYEMINISTRIT!

 INTERVISTË ME EURONEWS ALBANIA, 11.05.2020, ORA 16:32

 Gazetarja Euronews Albania: Nisim fillimisht me rastin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurtin, mostrat e të cilit tashmë janë marrë. Kur priten analizat për Z.Kurti?

 Unë: Rezultatet priten në mbrëmje (shih linkun në postim).

 Biseda u zhvillua sot kah ora 16.30 pas kthimit tim nga terreni (spitali Sirona dhe Spitali i Gjilanit). Gjatë rrugës, në radio dëgjova për vetëizolimin e Kryeministrit dhe kjo ishte krejt informata që kisha.

Pyetja e gazetares për “kryeministrin, mostrat e të cilit janë marrë” po ashtu më gjeti para aktit të kryer se i paskan marrë edhe mostrat! Përgjigja ime ishte në mbrëmje (sikur çdo natë).

Kjo informatë paska zgjuar disa portale, të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar gjatë pandemisë për informimin e drejtë të qytetarit. Brumin ua paskam dhënë unë vetë. Prandaj, mbase edhe nga lodhja, por dua të deklaroj këto 3 gjëra pas këtyre leksioneve të mësuara:

  1. I kërkoj falje Kryeministrit, stafit të tij dhe qytetarëve të Kosovës për keqkuptimin që kam shkaktuar. Pandemia dhe politika janë simbiozë ideale për storie të medieve, që shpesh dalin jashtë kornizës reale. Shembull i tillë ishte edhe titulli i nxjerrë nga një intervistë para disa ditësh “Çka tha Lul Raka për Behxhet Pacollin”, edhe pse askund nuk përmenda emrin Behxhet!

 

  1. Ky është sinjal që edhe unë duhet të pushoj pak nga mediet. Prandaj, falënderoj të gjitha mediet për kontributin e jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin e deritashëm në luftimin e infodemisë së COVID-19 në Kosovë. Kjo sfidë është maratonë dhe secili prej nesh duhet ta ruaj energjinë.

 

  1. Nëse kam diçka për të thënë, do ta shkruaj në facebook vetë, pa uvertyrë të gazetarëve. Tashmë e di se edhe titulli që do të nxirret nga ky sqarim do të dalë në versione të ndryshme.

 Natën

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se janë…