Raketat “Javelin” pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohe
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh. Ai shton se vendi ka ekzekutuar të gjitha pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi.
Ai tha se Qeveria Kurti në tri vitet e fundit ka investuar rreth 240 milionë euro në blerje të sistemit të armatimit.
“Tashmë kemi në inventarin e FSK-së, sistemin Omtas që është i përafërt me sistemin Javelin, ka të njëjtën mënyrë. Sistemi Javelin do të jenë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë. Nuk mund të jap kohë të caktuar edhe për shkak të konfecidalitetit që ka ky proces”, thekson Maqedonci për KP.
Ai shton se në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën e 2 për qind të bruto-produktit vendor, që sipas tij, është synim të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s.
“Në krahasim me shpenzimet që janë bërë në të kaluarën është dhjetëra fish më e lartë. Ne jemi duke vazhduar të pranojmë buxhet shtesë prej Qeverisë së Kosovës, krahas rritjes së buxhetit që e kemi në vazhdimësi. Është për t’u theksuar që në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën 2 për qind që synohet të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s dhe shumë prej tyre nuk e kanë arritur. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së buxhetit që ka ndihmuar Qeveria e Kosovës dhe fokusit të Kurtit për të ndërtuar kapacitetet mbrojtjes duke investuar në sisteme të armatimit. Në këtë aspekt po vazhdojmë të bëjmë blerje ushtarake”, thotë Maqedonci.