Raketat ruse godasin stacionin hekurudhor në Kramatorsk, 35 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur
Mbi 35 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e bombardimeve në një stacion treni në lindje të Ukrainës. Kievi akuzoi forcat ruse për sulmin, ndërsa Moska, e cila e mohon, thotë se raketa të tilla ka vetëm ushtria ukrainase.
Të paktën 35 persona kanë mbetur të vrarë në një stacion treni në lindje të Ukrainës si pasojë e një sulmi me raketë.
Kompania shtetërore hekurudhore thotë se më shumë se 100 persona kanë mbetur të plagosur në stacionin e trenit në Kramatorsk.
Guvernatori i Donetsk tha se mijëra njerëz ishin atje në kohë kur ndodhi sulmi, në përpjekje për t’u larguar nga zona.
Siç jemi mësuar të dëgjojmë kohët e fundit, Moska e Kievi lëshojnë deklarata që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën.
Ukraina akuzoi menjëherë Rusinë për sulmin në stacionin e trenit, e cila solli edhe reagimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell i cili ndodhej në Kiev.
Borrell tha se e dënonte sulmin e Rusisë ndaj popullsisë civile të cilën e quajti një përpjekje për të mbyllur rrugën për evakuim.
Moska, njësoj siç bëri për vrasjen e civilëve në Buça ka mohuar përsëri sulmin në stacionin hekurudhor.
Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një reagimi bën fajtore Ukrainë, duke shtuar se llojin e raketave të përdorua të premten e përdor vetëm ushtria ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes: Të gjitha deklaratat e regjimit të Kievit në lidhje me sulmin me raketë e cila pretendohet se është shkaktuar nga ne është një provokim dhe absolutisht i pavërtetë. Forcat e armatosura ruse nuk kishin asnjë mision me zjarr në 8 prill në qytetin e Kramatorsk. Raketat taktike Tochka-U, fragmentet e të cilave u gjetën pranë stacionit hekurudhor të Kramatorsk përdoren vetëm nga forcat e armatosura ukrainase.
Ajo që na mbetet të besojmë nga sulmet makabre janë vetëm trupat e pajetë të njerëzve të pafajshëm të cilën përbalten nga propaganda mediatike.