Raketë balistike kundër pallatit mbretëror të Arabisë Saudite
Arabia Saudite ka rrëzuar një raketë balistike të nisur nga rebelët Houthi të Jemenit. Raketa kishte në shënjestër një pallat mbretëror në Riad, ku po zhvillohej një mbledhje e liderëve të Arabisë Saudite.
Koalicioni i drejtuar nga Arabia Saudite, që lufton rebelët Houthi të Jemenit, ka rrëzuar një raketë balistike në afërsi të kryeqytetit Riad. Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore saudite. Dëshmitarë të shumtë kanë publikuar imazhe në rrjete sociale në të cilat tregohet një re e madhe tymi në qiell. Autoritetet njoftojnë se nga kjo ngjarje nuk ka viktima apo të lënduar.
Nga ana tjetër, televizioni i militantëve Houthi thotë se shënjestra e raketës ishte pallati “Al-Yamama”, ku po zhvillohej në ato momente një mbledhje e liderëve të Arabisë Saudite. Muajin e kaluar, një raketë e tillë për pak mund të godiste aeroportin e Riadit.
Një uebsajt që citon forcat Houthi, shkruan se lëshimi i raketës gjatë pasdites të së martës ishte në kundërpërgjigje ndaj krimeve të tmerrshme të kryera nga agresioni Amerikan dhe Saudit kundër popullit të Jemenit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Sauditët kanë akuzuar Iranin se furnizon me raketa balistike rebelët Houthi. Megjithatë, Teherani ka mohuar armatimin e rebelëve, të cilët po luftojnë kundër qeverisë së Jemenit dhe koalicionit të drejtuar nga Sauditët që prej marsit të 2015.