Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike
Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që do t’i jepte zgjidhje konfliktit të ngrirë mes dy vendve.
Ai shton se zgjidhja duhet të vijë nga lart-poshtë, që do të thotë se të dy vendet duhet të njohin njëri-tjetrin si shtete të pavaruara.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës eksperti thotë se formula e ndjekur deri tani, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka treguar se nuk ka funksionuar ndaj ai sugjeron reflektim e qasje të re në dialog, gjë që kërkon siç tha angazhimin e BE-së, por në mënyrë të veçantë atë të Shteteve të Bashkuara.
“Duhet pranuar që nuk ka progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe siç e kemi parë ka një mungesë vullneti total nga ana e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet. Mendoj se është koha për një reflektim dhe një qasje tjetër në dialogun dhe në zgjidhjen e këtij konflikti të ngrirë. Jo më nga poshtë-lart, sikurse zgjidhja e problemeve teknike, për shembull targat e makinave apo të tjera si këto, por një zgjidhje që duhet të vijë nga lart-poshtë, që do të thotë që të dy vendet duhet të njohin njëri-tjetrin si shtete të pavarura. Ne kemi parë që formula e ndjekur deri tani dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk ka funksionuar për fat të keq. Dhe është krejtësisht e natyrshme që të pyesim se pse edhe 25 vjet pas mbarimit të luftës kemi ende një situatë të tillë kur në dialog janë diskutuar çështje krejtësisht teknike, të dobishme, por që gjithmonë janë teknike. Supozoni sikur një çerek shekulli pas përfundimit të luftës mes Gjermanisë dhe Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore, Parisi dhe Berlini të diskutonin se me çfarë targash makinash do të futeshin qytetarët e dy vendeve tek njeri-tjetri. Pra besoj që ka ardhur koha për një reflektim, dhe një qasje tjetër në dialog në zgjidhjen e konfliktit të ngrirë, gjë që kërkon angazhimin e BE-së, por në mënyrë të veçantë atë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Rakipi foli edhe mbi alarmin e dhënë së fundmi nga Departamenti amerikan i Shtetit se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të krijuar destabilitet.
Kjo për ekspertin nuk është një gjë e re, por që sigurisht duhet të jenë një alarm i madh për udhëheqësit politikë të Ballkanit.
Rakipi ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në Forumin Publik të NATO-s një aktivitet që u mbajt në kuadër të takimit të nivelit të lartë të aleancës.