Rakiqi: Deri më 19 prill Brukseli dhe Prishtina mund ta shpëtojnë fytyrën
01 prill 2018
| 15:41
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk duhet t’ia lejojnë vetes që të përsëritet ajo që ka ndodhur më 26 mars në veri, ku ishte arrestuar Marko Gjuriqi.
Ai ka thënë se deri më 19 prill Brukseli dhe Prishtina mund ta shpëtojnë fytyrën, duke e formuar asociacionin.
“Nuk mundeni të poshtëroni, të mos i përfillni njerëzit dhe të prisni që ata të mos mbrohen. Përfaqësuesit e serbëve kanë vendosur që ta ndihmojnë Brukseli dhe Prishtinën që ta ruajnë fytyrën deri më 19 prill, që të nisin formimin e Asociacionit të komunave serbe, ose ne do ta bëjmë vet”, ka thënë Rakiqi për “Politics”.
Lista Serbe u ka dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës për ta formuar këtë asociacion deri më 20 prill.