Rakiqi: Lista Serbe nuk do të jetë frenuese e formimit të qeverisë

30 janar 2020 | 18:07

Lista Serbe nuk do të jetë frenuese e formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Kështu ka deklaruar kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq, pas takimit që ka zhvilluar me mandatarin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, Kurti, ka pritur të enjten në takim përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, ata serbe dhe komuniteteve joserbe, për të diskutuar rreth formimit të qeverisë së ardhshme.

Pas takimit, Rakiq ka theksuar se u takon partive të shumicës, shqiptare, që ta sigurojnë shumicën në Kuvend, por në çdo rast, ai tha se “nuk do të jenë frenues” të formimit të qeverisë së re.

“Atë që dua ta them dhe që është fakt, për çka janë të vetëdijshëm si bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe Prishtina, është se pa Listën Serbe si një subjekt i rëndësishëm politik, nuk mund të formohet qeveria”, ka deklaruar Rakiq.

Ai ka deklaruar se Lista Serbe do ta ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e re të Kosovës.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit, kërkesën për caktimin e seancës plenare për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, kryesia do të mblidhet më 31 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar rezultatet e kategorizimit të…