Rama: 95 për qind e familjeve të dëmtuara do të kenë shtëpi më të mira
Në sallën e Albanologjisë në Pallatin e Kongreseve po mbahet prezantimi i platformës së aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij është shprehur se aspekti ligjor është adresuar dhe të gjitha proceset kanë hyrë në rrugë si dhe ka shtuar se duhet të bëhet një studim gjeologjik i terrenit dhe dhe të gjitha nivelet teknike.
“Bëhen dy muaj fiks nga tragjedia e tërmetit që goditi vendin. Ky është një moment jetik për familjet dhe historik për qeverisjen. Nuk duam të lemë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti. Për të rindërtuar nuk mund të sillemi si ata që ndërtuan pa leje. Ne kemi nevojë të planifikojmë në bazë të ligjit dhe komponentëve teknike. Procesi është kompleks, nuk mund të ndiqet nga kafeneja”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Rama ka theksuar se janë identifikuar në kohë rekorde zonat e rindërtimit dhe në 95 për qind të rasteve ata që u dëmtuan do të marrin shtëpi më të mira.
“Janë identifikuar në kohë rekord zonat e rindërtimit. Nuk duam të bëjmë një rindërtim për t’u kthyer siç ishte zona. Në 95 për qind të rasteve ata që u dëmtuan do të marrin shtëpi më të mira. Do të ndërtojmë shtëpi që do të bëjnë diferencë me të shkuarën”, ka thënë kryeministri Rama.