Rama, akuza qeverisë: Po na i bllokon 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale

06 prill 2023 | 11:06

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga vitet paraprake.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetjake të komunave. Si kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milion euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit të cilat qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, ka thënë Rama.

Ai ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetjake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj,…