Rama: Akuzat ndaj ambasadorëve, mjerane e të çmendurve nga frika e drejtësisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të Presidencës shqiptare dhe opozitës në drejtim të ambasadorëve të akredituar në Tiranë në lidhje me reformën në drejtësi.
Rama ka thënë këto akuza ndaj ambasadave janë mjerane e të çmendurve nga frika e drejtësisë.
“Pa mbështetjen e ShBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”.
“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, paketa speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Twitter”.
Rama ka paralajmëruar se nesër (e hënë) do ta prezantojnë paketën speciale AntiKÇK. “Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”, ka shkruar Rama.
/Epoka e re/