Rama: Askush nuk mund t’i jap leksione Shqipërisë për minoritetet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij ku ishte i pranishëm në nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, ka folur dhe për minoritetet.
Rama është shprehur se Shqipëria ka legjislacionin më të avancuar për minoritetet dhe është krenar për këtë gjë.
“Jam shumë krenar për shumë gjëra, por një nga gjërat që më bën krenar është se ka legjislacionin më të avancuar për minoritetet. E kemi bërë pa na e kërkuar kush, por deshëm vërtet ta bënim optimal, rrezatues. Dhe e dyta jam krenar që i kemi integruar dhe trajtohen pa diferencime. Nuk ka një minoritar të vetëm që të ngrihet dhe të thotë se kam një problem që lidhet me faktin që kam një etni tjetër. Nuk ekziston. E dimë se ka gjëra për t’u përmirësuar, si për minoritetet ashtu dhe për komunitete me kombësi shqiptare”, ka thënë Rama.
Sipas tij, asnjë vend nuk i jep dot leksione Shqipërisë për minoritetet.
“E dimë shumë mirë që ka në çdo aspekt gjëra për të përmirësuar edhe për minoritetet, jetën e tyre, për mirëqenien e tyre, siç ka për të gjitha komunitetet me kombësi shqiptare, por jemi në një pozitë që mund ta themi me plot gojën, leksione për minoritetet Shqipërisë nuk i jep dot askush, asnjë vend, zero”, ka thënë Rama.