Rama: ‘Ballkani i hapur’ mbështetet nga ShBA-ja, do ta ndryshojmë rajonin përgjithmonë

28 korrik 2022 | 14:30

Ky vit shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ngjarje e përkujtuar në një sërë eventesh, përgjatë këtyre muajve, që nga nisja e vitit.Nën logon “ 100 – Së bashku krah për krah”, e cila simbolizon miqësinë mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, u kremtua sot në Tiranë, 100-vjetori i lidhjes jetike së miqësisë dhe partneritetit, që siç u tha, kaloi përmes një historie të trazuar nga perdja e hekurt, për t’u rikthyer me e fortë se kurrë.

Në këtë ngjarje ku morën pjesë krerët e shtetit shqiptar u përmend dhe Kosova dhe roli i pazëvendësueshëm i Shteteve të Bashkuara në çlirimin dhe pavarësinë e vendit. Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka thënë se Shqipëria është baza politike e ShBA-së në rajon, ndërsa me “Ballkanin e hapur” do ta ndryshojnë rajonin.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se këto 100 vjet konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.

“Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit. Partneriteti i ngushtë strategjik me ShBA-në do të gjejë hapësira të reja, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme”,  ka thënë i Begaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka forca antiamerikane, por vetëm garë se kush e do Shqipërinë më shumë. Ai ka thënë se shteti shqiptar nuk do të kishte të arriturat e sotme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit, por më shumë se kaq, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se Shqipëria është baza politike e Shteteve të Bashkuara në rajon dhe do të shfrytëzojnë këtë marrëdhënie për të ndryshuar rajonin.

Këtu Rama ka përmendur edhe “Ballkanin e hapur” për të cilin është shprehur se është projekt i dakorduar plotësisht me Shtetet e Bashkuara.

“Dhe ne jemi jashtëzakonisht të privilegjuar dhe unë jam shumë besimplotë që falë kësaj marrëdhënieje ne do ta ndryshojmë rajonin. Do ta ndryshojmë rajonin një herë e përgjithmonë. Natyrisht që, do të vazhdojmë të përballemi me forca që duan ta mbrojnë edhe Ballkanin, edhe Kosovën nga çartja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100 për qind i dakordësuar dhe 100 për qind  i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcenim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet”, ka thënë Rama.

Në anën tjetër, ambasadorja e ShBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka thënë se më 28 korrik 1922, Shqipëria dhe Amerika ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza e që u ruajt nga shqiptarët edhe gjatë ditëve të errëta të komunizmit.

Kimi ka theksuar se shumë gjëra kanë ndryshuar në 100 vite, por Shtetet e Bashkuara kurrë nuk janë lëkundur nga besimi për një Shqipëri të pavarur dhe sovrane.

“Ne kurrë nuk jemi lëkundur nga të besuarit në ju. Ne kurrë nuk kemi lejuar që të lëkundemi në besimin që kemi në miqësinë tonë. Ne ishim krenar kur ju mbështetem kur ju shkëputët vargonjtë e komunizmit në vitin 1991. Krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2001. Krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj në krye të OSBE-së në vitin 2020. Krenar që ne ju pritëm si partner si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në janar të këtij viti. Krenarë të festojmë me ju këtë muaj ndërsa ju filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes evropiane”, ka thënë Kimi.

Në këtë ngjarje me një mesazh është drejtuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden si dhe ish-presidenti George Bush, i cili është presidenti i parë amerikan në detyrë që ka vizituar Shqipërinë.

Presidenti amerikan u ka premtuar shqiptarëve se SHhBA-ja do të jetë me ta edhe në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Një shekull më parë, më 28 korrik të vitit 1922, në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë kishte mbërritur dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se ShBA-ja e njoh qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërohet ambasadori i parë në Shqipëri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni aktual është i fundit në karrierë për Sebastian Vettel.…