Rama: Besoj se do ta kthejmë pranverën në stinë vaksinimi
Gjatë bisedimit me qytetarët e Beratit, kryeministri Edi Rama, ka folur me qytetarët dhe për çështjen e vaksinimit dhe vështirësive të hasura për furnizimin me dozat e nevojshme.
Ai ka shprehur besimin se në ditët në vijim mund të arrihet një marrëveshje për sigurimin e mijëra dozave vaksine që do të intensifikojë vaksinimin gjatë stinës së pranverës.
“Çështja e vaksinës është kthyer në një çështje botërore. Të gjitha shtetet kanë nevojë për vaksina. 70 për qind e prodhimit të vaksinave është në duart e 10 shteteve. Dhe ku Shqipëria, si një vend i vogël, si një vend në një rajon në mes të Evropës, por që nuk u përfshi në skemën evropiane të shpërndarjes së vaksinave, ka një sfidë të madhe. Falë këmbënguljes ne ia kemi dalë të nisim vaksinimin, ndërkohë që shumë shtete nuk kanë bërë gjilpërën e parë. Brenda gjysmës së parë të muajit mars do mbyllim vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Jam besimplotë se së shpejti do kemi lajme të mira për sigurimin e sasive të nevojshme për të mos ulur ritmin, por për ta intensifikuar atë dhe për ta kthyer të gjithë këtë sezon pranveror në një sezon vaksinimi masiv”, ka thënë Rama