Rama: Brenda disa ditësh FSK-ja fillon kampanjën e rekrutimit
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pret që javën e ardhshme të fillojë kampanjën informuese të rekrutimit për akademinë ushtarake.
Megjithëse pandemia ka prekur edhe në organizmin e aktiviteteve të FSK-së, institucioni është në hap me planin e paraparë vjetor.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një intervistë për “Kosovapress”, ka treguar se kur pritet të nisin vitin e ri akademik me kadetët e rinj, ndërkohë ka folur edhe për pranimin e kadetëve nga pesë vendet partnere.
“Shumë shpejtë, javën e ardhshme besojmë që do e bëjmë kampanjën e rekrutimit dhe konkursi do të jetë i hapur për akademinë tonë, por edhe për pesë vende të tjera që kemi oferta nga partnerët tanë. Jemi me kohë, për shkak se edhe testi kombëtar që është shtyrë që do të jetë në korrik dhe pas marrjes së diplomave, certifikatave nga ana e aplikantëve, plani jonë është që t’i kryejmë të gjitha obligimet, qofshin ato kampanja të rekrutimit, përzgjedhje të seleksionimit, dhe të njëjtën kohë t’i zhvillojmë të gjitha procedurat e përzgjedhjes dhe seleksionimit dhe besojmë që do të jemi të gatshëm që në shtator të fillojmë vitin e ri akademik me kadet të rinj”, ka thënë Rama.
Në kuadër të kësaj fushate hynë edhe konkursi për pranim në akademi ushtarake të vendeve partnere Gjermani, Turqi, Kroaci, Maqedoni, ndërkohë që në Angli dy pjesëtarë të FSK-së, tashmë kanë shkuar për shkollim në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.
Akademia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me koncept amerikan, tashmë është e akredituar dhe programin e ka tërësisht në gjuhën angleze.
Gjenerallejtënant Rama ka thënë se u ofrojnë hapësirë për shkollim edhe vendeve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, meqë tashmë është akademi regjionale.
Procesi i aplikimit dhe pranimit në FSK do të bëhet nën masa e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.
E kampanja e dytë e cila është planifikuar të fillojë në korrik, do të jetë për ushtarë të rinj, ku numri i të pranuarve do të jetë 400.