Rama: Çështja e Demarkacionit, problem i shpikur nga politika e Kosovës

16 shkurt 2018 | 22:10

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës.

“Në ndërkohë që miqtë e mëdhenj të shqiptarëve janë të angazhuar në zgjedhjen e problemit real mes shqiptarëve dhe serbëve, demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi. Por unë kam ndeshur një mur të shurdhër sa herë kam folur për këtë dhe sa herë kam përcjell këtu atë që kam dëgjuar në takimet me homologë në nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë ai në emisionin “Zona e Pavarësisë” në “Klan Kosova”.

Ai ka thënë se demarkacioni do t’ia sigurojë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.

“Demarkacioni do të çlirojë më në fund popullin e Kosovës nga pengesa e tmerrshme e vendosur nga BE-ja për të lëvizur lirisht në Europë, pasi nuk ka qenë e drejt që kjo lëvizje të kushtëzohet me demarkacionin dhe është e turpshme për Bashkimin Europian. Këtë ua kam thënë në sy të gjithëve atyre që kam takuar në BE”, ka thënë Rama.

Sipas Ramës, demarkacioni ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Por çështja e Demarkacionit ka edhe një komponentë tjetër; ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ka rrezikuar besimin dhe mbështetje e partnerëve strategjikë të Kosovës dhe shqiptarëve, pasi refuzimi për ta ratifikuar këtë marrëveshje është mungesë serioziteti nga Kosova”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se në vikend do…