Rama: “Defender Europe 21”, garanci për sigurinë e Shqipërisë
Forcat ushtarake amerikane dhe shqiptare pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021”, zhvilluan sot një ditë të hapur për publikun në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore
Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar, po demonstrojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë. Në këtë stërvitje janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shprehu mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në stërvitje, të cilën ai e cilësoi si domethënëse për nga përmasat dhe mesazhi i saj.
“Njëkohësisht dëshiroj që përveç dhe përtej mirënjohjes për të gjithë djemtë dhe vajzat me uniformë që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe garancinë e sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe përkushtimin e sakrificat e tyre, t’u shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre që sakrifikojnë çdo ditë, që janë të parët që preken nga emocionet jo të vogla e jo të rralla të përfshirjes të pjesëtarëve të tyre në Forcat e Armatosura, për të cilët jo çdo ditë është e qetë dhe jo çdo kohë është e sigurt”, u shpreh Rama.
Ai tha se krijimi i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore të FA-ve në partneritet me SHBA është objektivi dhe misioni i përbashkët i Shqipërisë dhe përfaqësisë amerikane në Shqipëri.
Rama tha se kjo stërvitje nuk do të përmbyllë ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Forcat e Armatosura të vendit, por do të jenë një pikënisje e re për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ndërsa, presidenti Ilir Meta theksoi se kjo stërvitje do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen.
“Mbështetja dhe shkëmbimi i eksperiencës mes Forcave tona të Armatosura dhe forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera aleate dhe mike do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen”, u shpreh Meta.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se “Defender 21” ka qenë mundësia më e madhe për të testuar kapacitetet ushtarake të Shqipërisë.
“Kjo përpjekje ka për qëllim të mbajë paqen, të forcojë demokracinë, të na bëjë të flemë të qetë e të jemi më të sigurt për të ardhmen. U kemi dhënë sot mundësi qytetarëve ta prekin me dorë se çfarë do të thotë të jesh krenar që je shqiptar. Pas 12 vjetësh anëtarësi në NATO, sot ka qenë mundësia më e madhe e historisë tonë për të testuar veten dhe kapacitetin tonë. U bëj ftesë të rinjve ta shohin në karrierën e tyre si një mundësi të artë pjesëmarrjen pranë Forcave të Armatosura”, tha ai./Atsh