Rama: Deri më 18 maj do të jemi mbi 90 për qind të liruar nga masat
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka zhvilluar i një mbledhje online me Komitetin Teknik të Ekspertëve për situatën që po kalon Shqipëria për shkak të pandemisë Covid-19.
Në këtë mbledhje, Rama është njoftuar nga mjekët ekspertë të fushës dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Teknik me zhvillimet e fundit dhe ka diskutuar me ta për masat që duhen ndërmarrë në një kohë kur nga java tjetër nis lehtësimi i masave dhe për shumë aktivitete të tjera.
Sipas Ramës është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin rregullat e thjeshta për të shmangur goditjen nga një valë e dytë e koronavirusit, shkruan “A2 CNN”.
“Deri më 18 maj ne do të jemi mbi 90 për qind të liruar nga masat. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobusë dhe furgonë. Po kërkojmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. E gjitha pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm, duke evituar grumbullimet me mbi 10 persona. Do të jemi tërësisht të ekspozuar dhe duhet të kemi një intensitet komunikimi”, ka thënë Rama.