Rama, diasporës: Regjistrohuni, me votën tuaj e çojmë Shqipërinë në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” u ka bërë thirrje shqiptarëve të diasporës që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, kur kanë mbetur edhe 22 ditë nga përfundimi i afatit.
“11 maji do të jetë një vendim historik për faktin se për herë të parë shqiptarët e Evropës dhe të mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë me postë. Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars. Sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin është kohë e domosdoshme”, ka shkruar Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare shprehet se deri tani numri i të regjistruarve në faqen e KQZ-së është premtues, por sipas Ramës “duhet të jetë shumë më i madh akoma”.
Rama ka theksuar se vota e çdo emigranti që jeton jashtë vendit vlen pasi definon të ardhmen e Shqipërisë, që sipas tij në mandatin e 4-të të PS do të hedhë hapat përfundimtarë të anëtarësimit në BE.
“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Votimi i çdo kujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme, vlen. Dhe unë mezi pres të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Evropës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme. Regjistrohuni, regjistrohuni, regjistrohuni dhe mos e lini për ditën e fundit, kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ-së dhe të bëhet pastaj shumë më e vështirë. Është fare e thjeshtë, nga kompjuteri, ose nga telefoni, disa minuta për tu bërë pjesë e një momenti historik në rrugën e demokracisë sonë”, ka shkruar Rama.