
Rama: Do hapim një aeroport të ri që do menaxhohet nga aeroporti i Mynihut
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte në Berlin ku mori pjesë në Panairin më të madh Ndërkombëtar të Turizmit, teksa Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për vitin 2025.
Rama atje ka folur edhe për aviacionin në Shqipëri, teksa ka treguar se do të hapet një aeroport i ri që siç tha ai, do menaxhohet nga aeroporti i Mynihut.
“Shumë shpejt do të çelim një aeroport të ri që do menaxhohet nga aeroporti i Mynihut. Besojmë që ka hapësirë për më shumë sepse aeroporti i kryeqytetit është ai që ka rritjen më të shpejtë në Europë por është i mbipopulluar, pra 11 milionë udhëtarë në një vend me 2.5 milionë banorë. Aeroporti i ri që do hapim këtë vit është më në jug dhe praktikisht u përgjigjet nevojave të turistëve që shkojnë drejt detit Jon dhe pjesës së jugut të vendit tonë”.
“Kemi një tjetër aeroport të vogël në veri dhe po planifikojmë një të katërt në skajin më jugor përballë Korfuzit, sepse ka shumë mbingopje të aeroportit të Korfuzit. Kemi kompani ajrore që kanë ardhur dhe që do vinë. Jemi në bisedime me Aviacionin Federal të SHBA-së për të pasur një fluturim të drejtpërdrejtë në SHBA. Së shpejti do të kemi Katar Airëaiz, kemi fluturime nga Emiratet dhe Arabia Saudite”.
“Gjithashtu kemi një aeroport mjaft të lirë. Shumë njerëz nga rajoni vinë në Tiranë që të fluturojnë nga Tirana. Kemi vendosur një prej sistemeve më moderne të kontrollit të pasaportave që bën të mundur të mos rrish në radhë, është tërësisht digjital”, është shprehur Rama.