Rama: Do të hedhim në diskutim masat për mbylljen e TikTok-ut dhe Snapchat-it në Shqipëri

20 nëntor 2024 | 13:52

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë tha për mediet se do të hedhë në diskutim mbylljen e plotë të rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat.

Ai theksoi se qeveria është në dilemë për të vendosur filtra apo të marrë masa drastike në mbylljen e rrjeteve sociale që janë kthyer në burim dhune.

“Prej tre ditësh, i madh dhe i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14-vjeçar me thikë nga një adoleshent tjetër. E gjithë dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjithë familjet që rrisnin fëmijë në botën e sotme ku rrjetet sociale dhe posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët tanë qysh në moshat më të vogla. Autoritetit i prindërve dhe i mësuesve, si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo në shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, asnjë stimul pozitiv në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe ku jo vetëm edukimit, por deri dhe shëndeti mendor i më të vegjëlve, i adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se këto janë të vërteta të thjeshta me të cilat nuk është e vështirë të bien të gjithë dakord si prindër apo si qytetar – dëshmitar të shoqërisë të kohës të botës së sotme, ku, sipas tij, garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona.

Megjithatë Rama thotë se nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte, kaq sfiduese kur shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës, por ende pa asnjë rezultat domethënës.

“Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm. Faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç, deri te Franca e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen e një llogarie online nën 15 vjeç apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari online dhe së fundmi ku kufi është rritur në 16 vjeç. Po përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur me këto nisma, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë të cilët nuk është vendi t’i shtjellojmë këtu sot”, ka thënë Rama, duke shtuar se tani, dilema e tyre si qeveri është nëse duhet të provojnë në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Evropë apo përtej Evropës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët.

“Ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në “Facebook” ka theksuar…