Rama do të niset për Itali më 26 maj në kuadër të turit me diasporën
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS) ka zhvilluar të hënën mbledhjen e përjavshme. Kryetari i këtij grupi, Bledi Çuçi, në nisje të fjalës së tij, ka falënderuar deputetët për të gjithë angazhimin e tyre në takimin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një ditë më parë me bashkatdhetarë në Athinë.
Çuçi ka kërkuar nga deputetët po të njëjtin përkushtim edhe për takimet e tjera të turit me Diasporën. I radhës është takimi në Itali më 26 maj.
“Të gjithë kolegët që kanë lidhje personale apo elektorale të angazhohen për takimin e radhës në Milano pas dy javësh. Ju kërkoj ta merrni me shumë impenjim”, ka thënë Çuçi.
Mbledhja ka vazhduar me diskutime për agjendën parlamentare. Çuçi ka ndarë me deputetët projektligjet dhe marrëveshjet që pritet të dërgohen në seancën e ditës së enjte në Kuvend, teksa përsëriti kërkesën për të mos pasur mungesa në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe në seancën plenare. Më pas disa deputetë ngritën për diskutim çështje të ndryshme komunitare, sipas zonave që përfaqësojnë. /TopRadio