Rama: Dosja Xhafaj, e konsumuar
Opozita shqiptare ka braktisur seancën plenare dhe menjëherë pas kësaj deputetëve të pranishëm u është drejtuar kryeministri Edi Rama.
Ai i ka lidhur akuzat e opozitës për trafik droge në drejtim të vëllait të ministrit të Brendshëm me reformën në drejtësi dhe hapjen e negociatave.
Rama ka thënë se të njëjtën dosje të Agron Xhafajt, Partia Demokratike, para se ta publikonte në shqip e kishte shpërndarë në anglisht tek ndërkombëtarët.
“Ajo që shihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie është se vjen në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka thënë se akuzat e opozitës janë thjesht politike.
“Fakti është i njohur botërisht nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët, se po të mos ishte, para se të flisnin këta të PD-së, do të kishte folur ambasadori amerikan, do të kishte folur Bashkimi Evropian, do të kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ambasadori amerikan nuk iu referua hiç këtij lajmi sensacional të këtyre, por iu referua një fakti tjetër, për të cilët këta më akuzuan mua personalisht sa i përket kreut të Krimeve të Rënda. Nëse do të kishte një fije të vërtetë, do të kishte dalë miku ynë i shtrenjtë, njohësi i kudondodhur i gjithë proceseve tona për të vënë drejtësi në këtë vend”, ka thënë Rama.