
Rama drejt Luksemburgut: E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk është më aspiratë
Kryeministri i qeverisë shqiptare, Edi Rama, teksa është rrugës drejt Luksemburgut për çeljen e grup-kapitullit të dytë të negociatave Shqipëri-Bashkimi Evropian, ka ndarë një video në rrjetet e tij sociale, në rubrikën “Çkemi ndo1 të re”, nga ku nuk munguan dhe ironitë ndaj opozitës.
Rama cilësoi fillimisht se opozita (që e quan kënetë), u shpreh se Shqipëria nuk do mund të hapë më grupkapituj të tjerë, por se sot kreu i qeverisë shqiptare po ecen drejt “stacionit të radhës”, që thekson synimin e Partisë Socialiste për anëtarësimin e vendit tonë në unionin evropian.
Rama u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk është më një aspiratë, por një e vërtetë që ka nevojë për bashkimin e të gjithëve si komb.
“Po si thanë kuat-kuat-kuat të kënetës? Nuk ka më hapje kapitujsh, iku kjo punë… e bllokoi BE-ja narkoshtetin, se vetë bufi shkoi në Evropë me Dulën, e as darkë nuk i dhanë narko-kryeministrit. E pra, ja ku jam, rrugës nga Brukseli drejt Luksemburgut, ku sot pasdite hapet grupkapitulli i tretë i negociatave me Bashkimin Evropian. Si një tjetër dëshmi kokëfortë se ne po ecim pa u ndalur, majës së Shqipërisë 2030, si zonjë në sallonin kryesor të Bashkimit Evropian. Ky sot është një tjetër stacion, që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë dhe sot jemi një hap tjetër më pranë objektivit tonë madhor, mbyllja e negociatave të anëtarësimit, brenda vitit 2027. Ky është një objektiv shumë ambicioz, e plotësisht i arritshëm, vetëm nëse ne qëndrojmë bashkë pa humbur asnjë minutë, lidhur dorë për dore dhe vazhdojmë me të nijetin përkushtim, seriozitet dhe unitet kombëtar në këtë rrugëtim historik. E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk është më një aspiratë. Është një proces që po ecën përpara drejt portës së hapur për ne, si asnjëherë më parë. Ky është momenti ynë. Zoti e desh që fati evropian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë. Le ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë, me Evropën, e të Evropës me Shqipërinë”, tha Rama, raporton “TV Klan”.