Rama: Duroni, duroni, duroni, o njerëz!
Kjo e hënë shënoi viktimën e pestë në vend dhe kryeministri Rama thotë se kemi hyrë në një javë tejet të vështirë dhe po humbasim njerëz. Shefi i qeverisë tha se kemi vetëm një gjë në dorë për të kursyer sa më shumë të jetë e mundur dhe lehtësuar sa të mundemi vuajtjet e mëdha.
“Të shtrëngojmë dhëmbët dhe durojmë, durojmë, durojmë, duke mos shkelur ligjin e luftës për kufizimin e lëvizjes; duke mos dalë nga shtëpia kot; duke ecur vetëm në rrugë kur kemi një domosdoshmëri jashtë shtëpisë; duke ndenjur në radhë në distancë minimumi 1 metër pas kurrizit të njëri-tjetrit kur bëjmë pazar; duke rezistuar, rezistuar, rezistuar”, ka thënë kryeministri Rama.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri u shënuan dy të vdekur me COVID 19, duke e çuar në pesë numrin e viktimave. Ndërkohë zyrtarisht janë 89 persona të infektuar, ndërsa katër raste të reja të dyshuara në Vlorë pritet të konfirmohen nga Ministria e Shëndetësisë.