Rama e dënon sulmin ndaj spitalit në Gaza: Bota demokratike të jetë garante e drejtësisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra njerëz kanë humbur jetën.
Rama ka thënë se sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.
“Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Deklarata e kryeministrit Netanjahu se kjo masakër u krye nga vetë barbarët terroristë është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit”.
“Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadhave të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës dhe e drejtësisë për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme dhe detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, ka shkruar Rama në platformën “X”.