Rama e njofton zëvendëspresidenten e Senatit francez për misionin e ri të FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka pritur në takim zëvendëspresidenten e Senatit të Francës, Helen Corway Mouret.
Gjeneral Rama ka falënderuar atë për ndihmën e vazhdueshme dhe profesionale që Franca i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Gjithashtu, komandanti i FSK-së, gjatë takimit e ka njoftuar senatoren Mouret lidhur me misionin e ri të FSK-së, si dhe me arritjet e përgjithshme të saj në fushën e arsimimit, trajnimeve dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar me shtetet partnere dhe anëtare të NATO-s.
Ndërkaq Mouret ka falënderuar komandantin e FSK-së për pritjen dhe ka uruar atë për suksese në ndërtimin e një force të besueshme, profesionale dhe gjithëpërfshirëse.
/Epoka e re/