Rama e Plenkoviq kërkojnë masa kundër Serbisë për shkak të dhunës në Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, i bënë thirrje të hënën Bashkimit Evropian dhe Perëndimit të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Rama, i cili është në një vizitë në Zagreb, tha se agresioni i “forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”, sipas Radio Televizionit të Kroacisë (HRT).
Thirrja e dy liderëve vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
“Ne e kemi një krim, një vrasje të një oficeri policor, dhe e kemi heroizmin e atyre që e kryen krimin”, tha Rama, duke ngulur këmbë se një gjë e tillë nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta me këtë.
Dy ditë pas sulmit, Qeveria e Serbisë shpalli ditë zie për tre sulmuesit e vrarë në Banjskë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Plenkoviqi tha se Serbia e pranoi në njëfarë mënyre përfshirjen në sulm duke shpallur zi për sulmuesit e vrarë.
“Ne besojmë se shpallja ditë zie për tre de fakto terroristët që vranë policin e Kosovës ishte një veprim i papranueshëm dhe nuk jemi aspak të kënaqur që një lëvizje e tillë politike është bërë në këtë moment, gjë që pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ata kanë bërë. Nga kjo jam i sigurt se në ditët e ardhshme, pas një analize tërësore, është gjithmonë mirë të informohemi plotësisht se çfarë dhe si ndodhi, do të ketë propozime”, tha Plenkoviq.
Derisa Serbia mohon çdo përfshirjeje në sulm, të premten, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.
Komisioni Evropian mund të marrë masa edhe mënyrë pavarur, pra pa pajtimin e të gjitha vendeve anëtare, siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.
Kryeministri kroat nënvizoi se është i sigurt se të gjitha masat “do të ndërmerren”, ndërsa Rama theksoi se ato duhet të aplikohen pa humbur kohë “sepse vendimi i Beogradit për ditë zie nuk lë vend për interpretim tjetër”.
Të dielën pasdite, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.
Pak ditë pas sulmit, Serbia e mohoi se po zhvendos ushtrinë pranë kufirit me Kosovën, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe autoritetet kosovare i bënë thirrje ta tërheqë ushtrinë përgjatë kufirit me shtetin fqinj. /Rel