Rama e quan Hakan Fidan një prej mendjeve më të mprehta në arenën ndërkombëtare
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk e ka komentuar gjatë takimin e tij të djeshëm me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili vizitoi Tiranën.
Megjithatë, në një postim të sotëm (një ditë pas takimit) në median sociale Facebook, ai e ka përshkruar kryediplomatin turk si “një prej mendjeve më të mprehta në arenën ndërkombëtare”.
“Disa momente nga takimi si gjithnjë mbresëlënës me një mik të çmuar e tanimë të vjetër, një prej mendjeve më të mprehta që kam pasur privilegjin të njoh në arenën ndërkombëtare, ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan”, ka shpërndarë Rama, së bashku me disa fotografi nga takimi.
Fidan erdhi, por çfarë u tha pas perdeve mediatike
Dhjetori i kaluar shënoi 100 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë.
Këto marrëdhënie, tanimë, janë shndërruar në një partneritet strategjik – me Ankaranë dhe Tiranën zyrtare të angazhuara për më shumë bashkëpunim.
E pikërisht për këtë arsye Shqipëria u vizitua nga numri një i diplomacisë turke, Hakan Fidan, i cili zgjodhi Tiranën për të nisur turin e tij katër ditor që vijon me Rumaninë dhe Bullgarinë.
Një vizitë e rangut më të lartë ku pati takime kokë më kokë me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, kryeministrin, Edi Rama, për të përfunduar me presidentin e vendit, Bajram Begaj.
Nga takimi me Hasanin dhe Begajn u ndanë detaje mbi temat e diskutuara apo marrëveshjet e arritura, ndërsa takimi me Ramën solli vetëm disa foto të realizuara në Kryeministri, e të publikuara nga vetë ministria e Jashtme turke.