Rama e quan Kurtin revolucionar që hap luftë imagjinare me ShBA-në
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën për medie pas mbledhjes së dy qeverive, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit është vazhdimësi e procesit të Berlinit.
“Mendimi im për Marrëveshjen e Uashingtonit është i njohur, po e përsëris shkurtimisht, Marrëveshja s’ka asnjë gjë të re është thjesht një konfirmim i atyre që janë diskutuar dhe nuk janë zbatuar nga procesi i Berlinit, por kjo ka rëndësi në një aspekt tjetër ka rikthyer Kosovën aty ku duhet të jetë ndërkombëtarisht dhe kjo i dedikohet kryeministrit Hoti”, ka thënë Rama.
Rama tutje ka thënë se të hapësh luftëra imagjinare me ShBA-në është absurde, duke e quajtur ish-kryeministrin Albin Kurti një revolucionar që përdorë plagët në funksion të luftës së vet politike.
“Të hapin luftëra imagjinare që shkojnë në absurdin që të hapet një luftë imagjinare me ShBA-në, me gjithë mungesën e modestisë kam kohë që e them këtë gjë, por kush nuk më dëgjon mua të dëgjojë BE-në dhe ShBA-në. Kosova nuk ia ka borxh asnjë politikani e asnjë revolucionari dhe asnjë figure qorrsokakun që shfrytëzon pikërisht ato plagë që duhet kuruar por për të përdorur ato plagë në funksion të luftës së vet politike”, ka thënë Rama.