Rama falënderon dhe nderon ambasadorët e huaj për situatën pas tërmetit në Shqipëri
Në takimin me ambasadorët e vendeve të huaja, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjitha ekipet e huaja të kërkim-shpëtimit të cilat i erdhën në ndihmë Shqipërisë në fatkeqësinë e 26 nëntorit.
Mbi të gjitha ajo çfarë theksoi Rama ishte se Shqipëria meriton respekt, pasi ka arritur ta përballojë më së miri situatën e tërmetit duke strehuar të gjithë të pastrehët që mbetën në qiell të hapur pas shembjes së shtëpive të tyre, duke i akomoduar në hotele dhe shtëpi me qira, me kushte edhe më të mira seç kanë pasur. “Fakti që Shqipëria arriti të menaxhojë më së miri, në kohë rekord, situatën e tërmetit, duke akomoduar të gjithë të pastrehët në hotele dhe shtëpi me qira, në kushte edhe më të mira seç kanë pasur, meriton respekt”, është shprehur Rama.
Ai ka zgjedhur fjalët më të ndjera për të falënderuar ambasadorët e vendeve të huaja në Shqipëri për ndihmën që shtetet e tyre dhanë gjatë tërmetit të 26 nëntorit.
Rama tregoi se çfarë do t’i thotë djalit të tij 5-vjeçar, Zahos, kur të rritet, kur ky i fundit ta pyesë mbi SHBA-në dhe Bashkimin e Evropian.
Ai vuri në pah se si shtetet lanë pas ndasitë dhe përplasjet politike për t’u bërë bashkë dhe për të ndihmuar Shqipërinë në ditët më të vështira të saj. “Por njësoj si dritat e festave të fundvitit edhe kjo mbrëmje nuk mund të mos ndodhte. Në kushtet kur ju të gjithë në këtë kohë kaq dramatike për Shqipërinë jeni ndjerë dhe treguar po aq shqiptarë sa shqiptarët. Përballë gërmadhave dhe lotëve të 26 nëntorit detyra juaj ishte të raportonit atë ditë nga ambasadat tuaja në kryeqytetet respektive. Unë nuk kam ndërmend t’i publikoj mesazhet tuaja që vijnë në telefonin tim dhe as nuk i ruaj si zakon në ndonjë arkivë. Por mesazhin e Leylas e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir 5-vjeç sot, Zaho, të rritet dhe pak të bëjë pyetjen e parë për SHBA-në, unë do t’i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptar me Amerikën mike. Ashtu sikundër me siguri do vijë dita kur im bir do inatoset me BE-në – kush nuk inatoset me BE-në – unë do t’i tregoj historinë e zbarkimit të trupave të kërkim shpëtimit në mbrëmjen e 26 nëntorit dhe heroizmat me plotkuptimin e fjalës të atyre burrave dhe grave veshur me uniforma të ndryshme, që flisnin gjuhë të ndryshme dhe që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë shqiptare. Vërtet do të jetë shumë më e lehtë hyrja në historinë në marrëdhëniet me fqinjët rreth e rrotull nesh duke ja nisur jo nga ngatërresa politike apo keqkuptimet historike por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave pas pothuajse 24 orësh të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të kërkues-shpëtuesve nga Kosova apo Serbia për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes njerëz të zakonshëm të këtij vendi. Ishte e gjitha një mrekulli, me kalorësit e kërkim shpëtimit italian që gjithë përkushtim krahas atyre turq, i rrethuan gërmadhat e kthyera në kështjella të vdekjes dhe nxorën prej tyre jetë shqiptare”, ka deklaruar Rama, raporton “Oranews”.
Tutje, ai veçoi kontributin e Kosovës ndaj fatkeqësisë. “Po për vëllezërit dhe motrat tona në uniformë nga Kosova? Me çfarë fjalësh mund të përshkruhen, pa e zvogëluar efourinë e rrahjeve të zemrës së mbarë Kosovës gjithçka që u reflektua në gjithë operacionin e tyre të paharrueshëm”, u shpreh Rama.
Duke vlerësuar ndihmën e dhënë nga Kosova por edhe vendet e tjera të rajonit dhe BE, kryeministri Edi Rama dekoroi me medaljen e artë ekipet e kërkim-shpëtimit që ju gjenden pranë vendit tonë në ditët më të zeza pas tërmetit të 26 nëntorit. “Një medalje nuk do të thotë pothuajse asgjë. Por jepet për herë të parë dhe pse ka kohë që është bërë. Është medalje që është vështirë të gjesh se kujt t’ia japësh, medalje e artë për vlerësim profesional. Lum ata që do ta marrin më mbrapa këtyre trupave që nga përkushtimi dhe aftësitë profesionale janë nga gjërat më të çmuara që kanë krijuar shtetet në shërbim të njerëzve. Bashkë me medaljet u përcillni të gjithë komandantëve të këtyre trupave shprehjen më të madhe të mirënjohjes nga populli shqiptar. Mundshin flamujt dhe shenjat e tyre dalluese ta mbajnë edhe këtë medalje kuq e zi që është shprehje e dhimbjes dhe shpresës”, u shpreh Rama.
Si masë paraprake, Rama paralajmëroi: “Në rast se ambasadorit të Serbisë do t’i bjerë medalja e Kosovës ose anasjelltas, apo ambasadorit të Izraelit medalja e Turqisë dhe anasjelltas, merrini thjesht si lapsus dhe jo ‘provokacia’. Nuk janë renditur për nga rëndësia”.
Medaljet u tërhoqën nga ambasadorët e vendeve respektive. I pari ishte ambasadori i Kosovës dhe më pas, Italia, Turqia, Franca, Izraeli, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Kroacia, Zvicra, OKB, BE dhe ShBA.
Rama ndërkohë vlerësoi edhe asistencën e dhënë me inxhinierë për vlerësimin e banesave. “Pas trupave të kërkim shpëtimit kanë vijuar të vinë trupa të vlerësimit të dëmeve për të dhënë një ndihmë shumë të çmuar në aktet e konstatimit, por ndihmë të çmuar për të gjithë banorët. Krahas vlerësimit të dëmeve po ulim tensionin dhe pasigurinë”, tha kreu i qeverisë shqiptare. Qeveria ende nuk e ka një bilanc për dëmet e mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
E megjithatë, kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë para Ambasadorëve të huaj se Shqipëria është në kushte emergjence për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit. “Ende nuk kemi një bilanc të plotë të dëmeve. Jemi të vetëdijshëm që fatura është e lartë dhe këtë faturë ne mund ta përballojmë vetëm me ndihmën tuaj. I jam mirënjohës KE që me shpejtësi të jashtëzakonshme vuri në dispozicion një shumë të parë, besoj dhe shpresoj se do të pasohet nga të tjera. I jam mirënjohës dhe presidentit të Turqisë që ka marrë një angazhim solemn duke angazhuar vendin e tij, por edhe vende të tjera të atij krahu të botës. Por në kushtet në të cilat gjendemi është shumë e rëndësishme që ju të mirëkuptoni këmbënguljen time për të përsëritur se ne jemi në domosdoshmëri për të pasur mbështetje. Asnjë vend nuk do ta përballonte vetë këtë situatë”, tha më tej Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se procesi i rindërtimit duhet të marrë udhë urgjent, por jo në kurriz të masës tjetër të popullsisë. “Duhet të jemi realistë dhe besoj se jemi realistë. Për të përmbyllur procesin e rindërtimit na duhet më shumë, por nuk duam të bëhet në kurriz të së ardhmes së gjithë qytetarëve të këtij vendi. Për këtë arsye nuk kemi parashikuar asnjë taksë, asnjë ndërprerje të investimeve dhe nuk kemi parashikuar as rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket. Jam krenar që pavarësisht përmasave të jashtëzakonshme të kësaj katastrofe dhe lëkundjes shumë të fortë prej saj të gjithë ngrehinës së shoqërisë dhe shtetit e kemi përballuar fazën e parë”, theksoi kryeministri shqiptar.
Rama nënvizoi se pavarësisht madhësisë së katastrofës, Shqipëria arriti të strehojë të pastrehët në kohë rekord dhe për këtë meriton respekt. “E dimë që është e përkohshme dhe koha nuk punon për ne. Duhet të bëjmë gjithçka që koha të mos përplaset kundër nesh. Duam të rindërtojmë në kuptimin më të plotë të fjalës, duam të ndërtojmë zona me standarde të reja dhe duam të akomodojmë në shtëpi më të mira se ato që kishin të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale. Bibla ka një fjalë shumë të favorshme për këtë moment. “Me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia dhe me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur. Me anë të njohurisë dhomat do të mbushen me gjithfarë gjërash me vlerë, të çmuara e të këndshme”, tha Edi Rama para ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri.