Rama ‘godet’ Kurtin për Xhakën dhe Shaqirin: Aspak dinjitoze, nacionalizëm qesharak
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pyetur nga gazetarët se pse nuk ka reaguar për ndeshjen Zvicër-Serbi, në një moment ku FIFA duket se po vepron me dy standarde pasi nuk po heton serbët për thirrjet e tyre shoviniste ndaj shqiptarëve.
Rama ka theksuar se nuk mund të përdorë dy figura të tilla si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për të bërë politikë, pasi sipas tij do të jetë FIFA ajo që do të vendos për situata të tilla.
Megjithatë, në mënyrë tërthorazi, ai “goditi” homologun nga Kosova, Albin Kurti, i cili pas ndeshjes kishte shkruar: “Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës”.
“Nuk jam kryeministri i Zvicrës, por i Shqipërisë. Nëse do ndaja dy shqiptarët që ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe. Çfarë do të bëja? Do ti përdorja për politikë. Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze. Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak. Nacionalizimi është sa qesharak edhe i rrezikshëm”.
“Nuk është e nevojshme dhe kush e bën këtë me vjen keq. Nuk mund të shkëputen dy shqiptarë që janë qytetarë të një shteti si Zvicra. Dhe nuk mund të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike. Sa i përket sanksioneve lidhen me politikën e FIFA-s. E dini shumë mirë që është politikë strikte për të mos cenuar kuadrin sportiv nga asnjë lloj nuance politike.
“Xherdan Shaqiri në një fitore të madhe të Liverpulit, u mbulua me një flamur të Kosovës, dhe askush nuk i tha gjë. Por këtu është FIFA”, ka thënë Rama.