Rama: Gradimi i sportistëve në ushtri, ditë historike për ne
Është zhvilluar ceremonia për dhënien e gradave ushtarake për sportistët kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet evropiane e botërore.
Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se ka hequr nga supet një barrë të trashëguar nga qeveritë shqiptare.
“Sot është ditë historike për sportistët dhe Forcat e Armatosura, sepse bëhen pjesë e FA një grup sportistësh që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Pjesë e FA janë edhe tre shqiptare e Kosovës, që do jenë nën të njëjtin flamur për të njëjtin mision, me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara; në funksion jo vetëm të sportit por edhe Forcave të Armatosura. Përfshirja e tyre si Kolonel dhe Kolonele e FA dhe gradave të tjera për arritjet në sport, përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale, përtej simbolikës. Kampionët dhe kampionët, tanimë të dalë përfundimisht nga zona e harresës dhe braktisjes nga shteti”, ka thënë Rama.
“Jam i lehtësuar sot që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës”, ka shtuar Rama.
Sportistët që nga sot do jenë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare:
Luiza Gega – Kampione atletike / Grada Kolonele
Briken Calja – Kampion në peshëngritje / Grada Kolonel
Majlinda Kelmendi – kampione Olimpike xhudo / Grada Kolonele
Erkand Qerimaj – kampion Evrope në peshëngritje / Grada Kolonel
Alban Beqiri – kampion Ballkani në boks / Grada Kolonel
Distria Krasniqi – kampione xhudo / Grada Kolonele
Nora Gjakova – kampione xhudo / Grada Kolonele