Rama: Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë…
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka karakterizuar “historike dhe tradicionale” marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, në një intervistë të shkurtër për drejtorin e Përgjithshëm të agjencisë shtetërore greke “ANA-MPA”, Mihail Psilou, në kuadrin e konferencës “Fake News dhe raporti me të vërtetën”, që e ka organizuar agjencia shqiptare e lajmeve “ATSH” në Tiranë.
“Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe, siç gjithmonë ndodh me fqinjët, nuk është gjithçka perfekte. E dimë këtë nga rajoni ynë, me çdo fqinj, qoftë në fshat apo në qytet, ose midis vendeve, është gjithmonë e njëjta marrëdhënie”, ka vënë në dukje kreu i qeverisë shqiptare.
“Mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si…luftë”, ka deklaruar duke qeshur ai, i cituar në artikullin përkatës.
Por, Rama ka theksuar gjithashtu se “ne jemi shumë të gatshëm të përmirësojmë këtë marrëdhënie çdo ditë dhe e bëjmë këtë”.
Në fund, udhëheqësi shqiptar ka vënë në dukje se, “ndonjëherë ka gjëra që janë rastësisht negative, ato ndodhin dhe duhet t’i përballojmë”. “Por kryesorja, – ka thënë ai, – është fakti që marrëdhënia mes dy vendeve, tani është e mirë dhe nuk ka armiqësi mes popujve”.
“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Pjesa tjetër është vetëm politikë”, ka theksuar midis të tjerash Rama.
I pyetur nëse planifikohet një takim mes tij dhe kryeministrit Tsipras, ai është përgjigjur:
“Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajo dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Besoj se jemi shumë pranë që t’i zgjidhim këto, e kjo do të ishte diçka me vlerë”, ka përfunduar ai. (TCh)