Rama: Hekurudha Tiranë-Durrës funksionale së shpejti
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale “Sy m’Sy”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zgjedhur të ju përgjigjet disa pyetjeve të tyre përmes një videoje direkte.
I pyetur për projektet në infrastrukturë, kryeministri Rama ka thënë se së shpejti do të jetë funksionale hekurudha Tiranë-Durrës.
“Para se të vinim tek trenat, duhet të dilnim nga gropa e madhe ku e gjetëm vendin në 2013-ën, duhet të dilnim nga pragu i kolapsit energjetik, duhet të dilnim nga gjithë ai zinxhir borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit. Sot, po i ndërtojmë dhe hekurudhat. Së shpejti hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë funksionale. Na është dashur kohë e gjatë për shkak dhe procedurave të gjata burokratike. Kemi në sistem dhe projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe Durrës-Hani i Hotit dhe projektin e Korridorit të 8, Durrës-Pogradec. Të gjitha këto janë në proces, por është dashur koha për t’i vënë të gjitha në rrugë”, ka thënë Rama, shkruan “tvklan”.
Në lidhje me Rrugën e Arbrit, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se është drejt përfundimit.
“Rruga e Arbrit, po insistojmë të mbarojë dhe do të mbarojë. Siç e kemi shpjeguar, problemi i madh i Rrugës së Arbrit ka dalë në tunelin e Murrizit, ku një gjeologji e pafavorshme, ka bërë që të ndryshojë komplet qasja teknologjike dhe i gjithë tuneli të armatohet totalisht me hekur shumë më përtej asaj që ishte parashikuar sepse ka pasur shumë prurje uji, por jemi afër përfundimit. Të gjithë ata që u bënë syri i keq i kësaj rruge, do të zhgënjehen sepse Rruga e Arbrit së shpejti do të përfundojë dhe do të jetë në dispozicion të popullit të Dibrës”, ka thënë Rama.