Rama: Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën time në këtë funeral të Kadaresë, i qëndroi besnike atij
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka treguar në ceremoninë shtetërore të lamtumirës për shkrimtarin e madh, Ismail Kadaresë, se bashkëshortja e tij, Helena Kadare, gjithashtu shkrimtare, i ka kërkuar që veç ai të mbante fjalim përpara se më i dashuri i saj të përcillej për në varrezat e Tufinës në Tiranë.
Rama ka thënë se kështu, Helena i ka qëndruar besnike bashkëshortit të saj.
“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën time në këtë funeral, duke i qëndruar besnike, si në të gjitha herët, Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet, e sidomos fjalimet, zgjodhi, besoj, të keqen më të vogël”, tha ndër tjerash kryeministri i Shqipërisë.
Paraprakisht, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajtën homazhe publike në nderim të Kadaresë.
Ismail Kadare vdiq të hënë në mëngjes, pas një sulmi në zemër. Kosova dhe Shqipëria mbajnë zi për humbjen e shkrimtarit më të madh ndonjëherë.