Rama: I kemi gati kandidatët për 14 majin, do të fitojmë bindshëm

09 mars 2023 | 11:26

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste (PS), ka thënë se është duke vazhduar puna për listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ai ka thënë se zyrtarizimi do të bëhet para se të regjistrohen kandidatët në KQZ, teksa ka shtuar se pak a shumë edhe kandidatët janë gati, ku ka sqaruar se një pjesë e tyre janë aktualisht në detyrë.

“Pak a shumë po. Aty ku faktikisht ka pasur dakordësi dhe si të thuash sinkronizmin rreth kandidatëve të caktuar që janë aktualisht kryetar bashkie, ka vazhduar procesi. Zyrtarizimi do bëhet para se kandidatët të regjistrohen zyrtarisht. Jemi në linja të përgjithshme, e dimë se cila do jetë skuadra jonë”, ka thënë Rama.

Teksa është pyetur se cilët janë kryebashkiakët më të mirë dhe ata më të keq, Rama është përgjigjur: “S’mund t’i ndajmë kështu. Siç ka mbetur aty në mur, në lumin e Vlorës, do bëjmë një memorandum tjetër. Do ju japim rezultatin”.

Më tutje, Rama është shprehur i bindur se do të fitojnë në zgjedhjet e 14 majit, pasi kundërshtarët janë nën nivelet e pritshmërisë.

“Do të fitojmë bindshëm pasi kundërshtarët janë nën nivelin e pritshmërive të shqiptarëve”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bujar (Ramë) Bajraktari shpall të pavlefshme diplomën me nr: 3362…