
Rama i përgjigjet ndjekësit: Më jep votën më 11 maj, të jap pasaportën e BE-së
Duke u kthyer nga Fieri, kryeministri shqiptar Edi Rama u është përgjigjur ndjekësve në Facebook. Në rubrikën “Sy m’sy”, një prej komentuesve i kërkonte me ironi Ramës që t’i thoshte kryeministres italiane Giorgia Meloni për të marrë pasaportën italiane.
Në përgjigje të tij kreu i qeverisë i kërkoi që të bashkojë votat për PS-në në 11 maj për të marrë pasaportën europiane në 2030-ën.
“Nuk kam pse i them Melonit për pasaportën italiane. E jotja nuk më duhet mbrapsht, se kam timen njësoj si tënden. Por ne të dy duhet të bëhemi bashkë më 11 maj dhe të futim Shqipërinë në BE brenda 2030-ës dhe marrim pasaportën europiane të Shqipërisë. Një pasaportë njësoj si Italia, Gjermania e francezja. Mos e mendo dy herë më jep votën më 11 maj dhe unë e PS do të japim pasaportën e BE-së”, u përgjigj kreu i qeverisë.
Një tjetër komentues i kujton kryeministrit premtimet e bëra në vitin 2013 kur erdhi në pushtet nga 300 mijë vendet e punës te 24 orë ujë në ditë. Rama tha se premtimi i parë është tejkaluar ndërsa premtimi për ujë 24 orë përfundon në mandatin e katërt.
“Kur ne morëm detyrën Shqipëria kishte 1 milion e 23 mijë të punësuar, 1 milion 327 mijë ishte numri i tyre në mbyllje të 2024. Tani gënjej unë? Shiko librin e sigurimeve janë mbi 300 mijë sesa kur ne morëm detyrën. Vetëm 4 zona urbane me ujë 24 orë gjetëm kur morëm detyrën. Sot kemi 48 urbane dhe 98 rurale. Në mandatin e katërt mbyllet dhe kjo plagë e vjetër”.
I pyetur nga ndjekësit se kush e ka penguar këto 12 vjet për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, Rama u përgjigj
“Pasaporta europiane merret kur bëhet shtet dhe nuk bëhet si komentet në FB, po të paralajmëroj që kur ta marrësh atë pasaportë në dorë, do të vijë zor nga vetja për ato që mendon e thua sot”.
Një tjetri që tha se nuk dëshiron të anëtarësohet në BE në kushtet ku ndodhet Europa sot, Rama i kujtoi Ukrainën dhe luftën e saj trevjeçare për t’u anëtarësuar BE. Sipas tij BE është shpëtimi nga e shkuara.
“Po nuk shkove në Europë ka vetëm një rrugë kthimi, vetëm në gropë. Janë pa mend ukrainasit që vriten prej 3 vitesh se duan të jenë më të dy këmbët në Europë? Po moldavët pse duan? Po estonezët, lituanezët ku do ishin sot po të mos ishin në BE? BE është shpëtimi nga rikthimi i së shkuarës, vetëm BE i jep fund kësaj historie kthimesh tragjike”.