Rama i prezanton nënkryetarët dhe drejtorët, thotë se Prishtinës do t’i shtohen edhe disa drejtori
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka folur të mërkurën rreth emërimit të drejtorëve të rinj.
Rama ka deklaruar se negociatat me PDK-në kanë zgjatur një kohë të konsiderueshme.
“Mbas një kohe të konsiderueshme të negociatave me partnerët tanë të koalicionit, sot kam kënaqësinë të prezantoj ekipin tim të drejtorëve, që kam përzgjedhur për transformimin e Prishtinës”, ka deklaruar Rama.
Rama ka treguar emrat e të gjithë drejtorëve të Komunës, përveç atij të Kulturës, për të cilin ka thënë se do të vendoset gjatë ditëve në vijim.
“Alban Zogaj, nënkryetar, Donjeta Sahatçiu, nënkryetare, Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit, Mimoza Sylejmani, drejtoreshë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit, Doruntinë Maloku, drejtoreshë e Pronës, Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike, Granit Rugova drejtor i Sportit, Donat Lushaku, drejtor i Kadastrit, Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë, Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave, Florian Dushi drejtor i Inspeksionit, Plator Gërdovci, drejtor i Zhvillimit Rural (drejtori e Bujqësisë), Donika Çeta, drejtoreshë e Parqeve, Bersant Beka, drejtor i Administratës”, ka deklaruar Rama.
I pari i Prishtinës ka thënë se do të shtohen edhe disa drejtori të reja.
“Jemi në analiza të drejtorive ose të nevojave, e kemi parë që na duhet ta kemi edhe një drejtori që është e dedikuar për rini, një drejtori për qytetin e mençur, një për biznes në ndërlidhshmëri edhe me investime prej jashtë, me diasporë. Jemi duke e shqyrtuar edhe aspektin e sigurisë, për shkak se qentë endacakë janë një problem shumë i madh ndoshta që duhet t’i dedikohet një drejtori e saktë. Këto po i diskutojmë dhe do të marrim shumë shpejt vendim”, ka thënë Rama.