Rama: I rritim pagat e mjekëve 40 për qind nëse s’ka fatkeqësi natyrore
Shqipëria ka tani një spital të ri për fëmijët. Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e Pediatrisë.
Ai ka thënë se brenda katërvjeçarit të tretë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të jetë më modernia në rajon. Por edhe këtë ambicie kreu i qeverisë e ka thënë me gjysmë zëri.
“Çdo parashikim ta bëjmë me rezervë, se të vjen pa pritur e pa kuptuar në ekuacion një tërmet, larg qoftë, ndonjë pandemi, përmbytje apo dreqi vetë. Por, sipas të gjitha parashikimeve, brenda këtij mandati QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern të rajonit, jo vetëm të Shqipërisë”, ka thënë Rama.
Bluzave të bardha vazhdimisht u është premtuar rritje e pagave, aq më shumë në dy vjetët e fundit pasi kanë qenë në frontin e parë përballë Covid-19. Në këtë kontekst, Rama ka thënë se do të rriten pagat e mjekëve nëse nuk do të ketë ndonjë fatkeqësi natyrore.
“Rritja e pagës do të bëhet vit pas viti. Ambicia është që të shkojmë në +40 për qind brenda mandatit, gjithmonë duke u lutur që ato që na i sjell koha në formën e fatkeqësive natyrore të na i kursejë kush i vendos këto gjëra dhe që nuk e njohim. Prezumojmë që, mbase, edhe na dëgjon në mënyrë që në këto katër vjet t’i bëjmë ato që kemi planifikuar”, është shprehur kryeministri Rama.
Për mos ta lënë gjithçka në dorë të Zotit, qeveria ka parashikuar një bonus për mjekët e suksesshëm.
“Është një sistem i tërë pikëzimi që sjell te mjeku të ardhura më të larta sesa kolegu që vazhdon të paguhet me pagën bazë, por për shkak se ka një performancë mesatare nuk merr dot sa merr kolegu në krah”, është shprehur Rama. Godina e Pediatrisë është vijim i investimeve të nisura në QSUT, si Spitali i Sëmundjeve të Brendshme apo Kardiokirurgjia.