Rama insiston: 30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, ka kritikuar presidentin Ilir Meta për veprimet e tij, duke thënë se ai po i hedh benzinë zjarrit.
Pavarësisht përpjekjeve të Metës, shefi i Qeverisë, ka thënë se më 30 qershor zgjedhjet do të mbahen në Shqipëri.
“30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve, duan apo nuk duan, qoftë ata që i fusin në këtë zjarr qoftë këta që i ndjekin drejt zjarrit. Sidoqoftë ajo që na takon është çka i takon kujtdo që është në të drejtën, të jemi të vendosur dhe të vetëpërmbajtur. Fatkeqësisht ky është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që është sot është në zyrën e Presidentit por që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë duke i hedhur benzinë zjarrit”.
“Para dy ditësh morëm informacion se njerëz që lehtësisht mund të verifikohen se me këtë janë të lidhur në katërshen, që iu është kundërvënë fuqimisht zgjedhjeve për t’iu kundërvënë Evropës, ashtu siç e shkruan Ismail Kadareja në faqen e që lexova, kanë komunikuar me disa persona në burgje duke i nxitur të marrin në dorë pjesë të tyre të revolucionit imagjinar dhe çuditërisht menjëherë mbas këtij informacioni del letra e presidentit të shqetësuar për situatën në burgje”.
“Nëse presidenti do të ishte realisht i interesuar për situatën në burgje minimalisht nuk duhej të rende ta publikonte letrën, minimalisht, të cilën e ka dërguar në adresën e gabuar, pavarësisht se ai sot ndihet komandanti suprem në krah e liderit suprem, nuk ka asnjë tagër t’i drejtohet askujt tjetër për informacion përveçse ministrave përkatës. Drejtorët nuk janë nomenklaturë e presidentit”, ka deklaruar Rama.