Rama inspekton punimet në tunelin e Kurrizit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtoreshën e Kulturës, Sibel Halimi, kanë inspektuar punimet në tunelin e Kurrizit, pjesë e rigjenerimit urban të kryeqytetit.
Ai ka thënë se ky projekt do të përmirësojë qarkullimin dhe infrastrukturën ku përfshihet riorganizimi i trafikut dhe hyrjeve e daljeve në ditët e rëndomta kur ka qarkullim të veturave si dhe në ditët kur mbahen aktivitetet; rritja e sigurisë për këmbësorë, biciklistë dhe vozitësit e automjeteve; përmirësimi i infrastrukturës së përgjithshme, përfshirë ndriçimin, largimin e ujërave atmosferik dhe largimin e gazrave të emetuara nga automjetet dhe bizneset ekzistuese, duke krijuar një hapësirë të re për qytetarët.
“Tuneli do të shndërrohet në një qendër aktive për aktivitete kulturore dhe komerciale. Do të organizohen koncerte, ekspozita dhe festivale, duke sjellë një atmosferë të re në qytet. Përveç kësaj, tregjet e fermerëve dhe panairet lokale do të bëjnë këtë zonë një pikë të rëndësishme takimi për qytetarët”, ka thënë Rama.