Rama: Jam i painteresuar të përfshihem në politikën e Kosovës

20 qershor 2022 | 14:10

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,  ka folur për marrëveshjet e arritura dhe ato që janë në zbatim.

Ai ka thënë se gjithnjë e më shumë po afrohen drejt partneritetit strategjik në mes të dy shteteve.

“Është kënaqësi që sot jemi këtu. Jo për faktin se është gjithmonë kënaqësi të vijmë në Prishtinë, por për faktin se sot kemi bërë një bilanc pozitiv të bashkëpunimit. Ndërkohë kemi rënë dakord për disa gjëra me rëndësi. Nuk ekzagjeroj fare po të them se pas çdo mbledhje të përbashkët ne i afrohemi pak më shumë qëllimit madhor të dokumentit të partneritetit strategjik mes dy shteteve tona të nënshkruar në Prizren. Sot kemi rënë dakord, që në kuadër të 110-vjetorit të flamurit tonë kombëtar, të pavarësisë të Shqipërisë të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të dy republikave. Një seancë jubilare, ku deputetët e të dyja shteteve, do të jenë bashkë, për të adresuar, popullin shqiptar, kudo ku ai ndodhet dhe po ashtu kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit të publikojmë edhe revistën e parë bashkëqeveritare që do t’i shërbejë të gjithëve për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre. Në këtë mënyrë do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive që do të publikohet rregullisht në fund të çdo viti, për t’i informuar të gjithë të interesuarit”, ka thënë Rama.

Më tutje, Rama ka përmendur edhe shifra të bashkëpunimit tregtar Kosovë-Shqipëri.

“Albini e tha me fjalë të tjera, unë po e them me shifër, volumi tregtuar prej kur kemi filluar këtë bashkëpunim, ka qenë 136 milionë, një volum qesharak, sot jemi në 433 milionë euro dhe nuk është ende volumi që kemi ambicien të arrijmë dhe kemi treguar se duam të shkojmë në mbi 1 miliard dhe këtë volum nuk mund ta quash më të papërfillshëm dhe nuk është një shifër me pak domethënie. Është rezultat i mundit, i djersës, i ambicies së dyanshme”, ka thënë Rama.

Në fund, kryeministri Rama ka thënë se nuk është i interesuar të përfshihet në jetën politike të Kosovës.

“Kam dhe një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës së duhur, me qeverinë aktuale. Ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, në krahasim me marrëveshjet e kaluara. Shpresoj që ky të konsiderohet një fakt dhe jo të bëhen spekulime të tjera. Jam i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, ka thënë Rama

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për…