Rama: Kalojeni Demarkacionin, mos e bëni Kosovën fëmijë të mohuar të atyre që e lindën si shtet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur shumë i shqetësuar lidhur me temën e nxehtë që tash e sa kohë është aktuale në Kosovë.
Rama ka thënë se Kosova përpos që ka krijuar një problem që nuk është problem, duke iu referuar demarkacionit me Malin e Zi, po prish marrëdhëniet me të gjithë ata që ndihmuan në pavarësimin e saj.
“Jam shumë i shqetësuar për Kosovën , jam thellësisht i shqetësuar për Kosovën, jo se çka thotë Spanja se nuk pres që Spanja të thotë diçka tjetër se Spanja është në një vorbull të madhe me separatistët edhe natyrisht projekton atë shqetësimin e brendshëm duke mbajtur qëndrim”.
“Puna është çfarë bën Kosova. Kosova ka arritur të krijojë një problem nga hiçi dhe ka arritur me një shpejtësi marramendëse të vërë në pikëpyetje marrëdhëniet me të gjithë ata që e lindën shtetin demokratik të Kosovës”.
“Kosova është nëna e të gjithë shqiptarëve që janë lindur, janë rritur apo jetojnë atje por është fëmija e atyre që bombarduan Beogradin dhe që mbështetën UÇK-në, pa mbështetjen e të cilëve nuk do të kishte shtet të Kosovës”.
Kryeministri shqiptar në një intervistë për “Real Story” në Vizion Plus ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi është një alibi e rrezikshme opozitare, transmeton Klan Kosova.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje politikanëve kosovarë që të ratifikojnë Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend sa më parë, transmeton Klan Kosova.
“Kosova ka arritur të vendosë pikëpyetje në marrëdhënie me të gjithë këta duke transportuar një alibi opozitare shumë të rrezikshme, për qëllime elektorale si refuzimi i Demarkacionit me Malin e Zi në qeveri sot”.
“Ja kam thënë kryeministrit të Kosovës, mikut tim, Ramush Haradinaj sy më sy, është e padrejtë për Kosovën, është strategjikisht fatale për Kosovën që ndërkohë që duhet të përqendrohet te zgjidhja e problemit historik me Serbinë dhe në këtë proces të mbajë fort të gjithë miqtë dhe partnerët të hapi një problem duke u thënë miqve jo që problemin e madh ne nuk jemi të aftë ta zgjidhim por jemi të aftë të krijojmë një problem që nuk është problem”.
“Është shumë e rëndë kjo. U bëj thirrje, kaloni demarkacionin një orë e më parë, mos e bëni Kosovën fëmijën e mohuar të atyre që e lindën si shtet.
“Nga ana tjetër nga momenti i atij krijimi të bllokut të famshëm që praktikisht ishte një ndërhyrje distruktive në procesin demokratik kur disa parti e rrethuan Hashim Thaçin si fitues i zgjedhjeve dhe imponuan një zgjidhje të sforcuar, kapaciteti qeverisës dhe kapaciteti për të qëndruar në lartësinë e duhur i Kosovës po shkon në rënie e në rënie. Ky është një problem shumë i madh”.