Rama: Komplikimet në PD e vështirësojnë zgjedhjen e presidentit

24 janar 2022 | 12:17

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në takim me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ai ka thënë se krijimi i dy PD-ve do ta komplikojë procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Shqipërisë.

Ai ka thënë se deputetët e PS-së duhet të mendojnë për mënyrën se si mund të këshillohen nga qytetarët për këtë vendimmarrje. “Në muajin Prill do na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë. Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e 2 Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare ndërkohë duhet të mendojnë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo tjetër duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve lidhur me figurën e Presidentit apo Presidentes së re të Republikës, pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidencës në një prezencë minuese për institucionin e presidencës për të thënë më të paktën”, ka thënë ai.

Sipas tij, Shqipërisë i duhet një njeri normal në zyrën e Presidencës. “Ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare politike dhe kushtetuese që t’i japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë. Një kryetar dhe kryetare shteti që t’i kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së presidentit. Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh këtu në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo në territorin shpirtëror të kombit tonë se mund të jetë edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por e kemi detyrim që t’i japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të ketë një njeri normal”, ka deklaruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Elton Tota Dhënia e ndihmës shtetërore nga qeveritë jepet…