Rama: Komuna e Prishtinës ka mbetur pa vetura, shkak skadimi i kontratës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se komuna e tij ka mbetur pa vetura.
Ai ka thënë se ka skaduar kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP) nga e cila kontratë, Komuna e Prishtinës kishte marrë me qira 76 vetura.
Rama ka thënë se pas skadimit të kontratës është vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
“Komuna i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së. Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike! Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike. Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet!”, ka shkruar Rama në “Facebook”.