Rama: Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin problemet, “Ballkani i hapur” është i domosdoshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e dytë të samitit të nismës “Ballkani i hapur”, ka marrë shembuj të pajtimeve të shteteve të ndryshme pas luftërave.
Rama ka thënë ë se Kosova dhe Serbia mund të zgjidhin problemet duke u afruar njëra me tjetrën.
“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhen paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë ose mos dakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka thënë ai.
Më tutje, Rama ka thënë se lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e hapur” të domosdoshëm.
“Lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe seç ishte përpara se kjo luftë të fillonte. Mbrëmë kam takuar ambasadorin Chris Hill i cili ka shërbyer në Tiranë në kohë dramatike të transformimit nga diktatura në demokraci dhe sot shërben në Beograd. Unë besoj se ambasadori Chris Hill me praninë e tij këtu është një nga dëshmitarët më të besueshëm të domosdoshmërisë së ‘Ballkanit të hapur’”.
“Por përtej të gjithë miqve dhe partnerëve, ‘Ballkani i Hapur’ është i rëndësishëm për njerëzit tanë, është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë. Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë? Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për t’u informuar që mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura. Problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse afrohemi”, është shprehur Rama.