Rama: Kosova duhet të reflektojë për kritikat e Brukselit dhe Uashingtonit
Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një debat për Kosovën për draft-rezolutën për ngjarjen e rëndë të 24 shtatorit në Banjskë ku ka humbur jetën polici Afrim Bunjaku.
Kryeministri Edi Rama, që në nisje të fjalës, ka thënë se do të fliste troç të vërtetat e tij për Kosovën. Mes të tjerash ai është ndalur edhe tek moslinjëzimi i Shqipërisë me deklaratën e BE-së.
Rama ka theksuar se ndonëse deklarata ishte miratuar përpara ngjarjeve në veri, Shqipëria vendosi që të mos linjëzohej, gjë që sipas kryeministrit ndodhte për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit. Rama ka shpjeguar rëndësinë e këtij veprimi, ndërsa theksoi se “Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat dhe kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit”.
“Si reagoi Shqipëria, përmes qeverisë shqiptare dhe asaj ngjarje kriminale, sa tragjike për humbjen e jetës së një shërbëtori të ndershëm dhe krejt të pafajshëm të Kosovës, aq dhe domethënëse për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës. Për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e BE. Ajo deklaratë ishte kryekëput për Kosovën dhe detyrat e saj në procesin e dialogut dhe nuk kishte asnjë gërmë për Serbinë. Edhe pse e vërteta është se aprovimi i saj nga 27 vendet anëtare përkoi proceduralisht menjëherë pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së efektivit dhe shpalljen e zisë në Beograd për kriminelët e vrarë dhe kjo nuk kishte si të pasqyrohej në deklaratën e përpiluar dhe aprovuar para ngjarjes, për ne, që e theksoj se nuk kishim asnjë rezervë për deklaratën në vetvete, sepse Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat dhe kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, ishte e papranueshme që deklarata të dilte, sikur asgjë tjetër nuk kishte ndodhur”.
“Kishte ndodhur jo diçka tjetër, për një gjë shumë e madhe. Ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, qysh pas vitit 1999. E më keq, ngjarja kriminale ishte pasuar nga një akt i papranueshëm zyrtar, shpallje zie në Beograd. Ndaj ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, që do ishte krejt normale nëse agresioni kriminal i Banjskës nuk do kishte ndodhur, prisnin një deklaratë të dytë të BE ku të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan se kohët dhe procedurat e BE nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë, sipas nesh e domosdoshme, në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të moslinjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”, ka thënë Rama.