Rama: Gabim që Kosova po refuzon Samitin, Amerika me dy përfaqësues
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për herë të parë rreth përgatitjeve për Samitin e minishengenit.
Ai në Zonën e Debatit në Klan Kosova vlerësoi se Kosova po gabon që refuzon pjesëmarrjen në Samitin e minishengenit, pasi në të SHBA do të dërgojë edhe dy përfaqësues.
”Ne kishim rënë dakord që do të bënim këtë Samit në Durrës. Dhe koncerti përkon me një ditë përpara Samitit, ku nuk do të vijnë vetëm dy – presidenti dhe kryeministri i Serbisë”.
”Do të vijnë të gjithë, Kosovën përsëri e kam ftuar”.
”Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA-ve Matthew Palmer më ka shkruar personalisht dhe më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona të posaçëm nga departamenti i Shtetit në mbështetje të këtij procesi”.
”Do të vijnë nga Komisioni Europian, akoma nuk kemi një konfirmim por do të jenë këtu, po ashtu nga Banka Europiane”.
”Do të vijnë të gjithë”.
Por pse do jenë pjesëmarrës të gjithë?
”Sepse është një proces që e mbështesin të gjithë. Nuk i kemi akoma konfirmimet e fundit por Franca, Europa, kanë ndonjë dyshim lidhur me atë aspekt shqetësues që përbën për të gjithë ne Serbia? – apo janë në një proces konspiracioni kundër Kosovës?”.
”Dhe nuk ka gjë më të gabuar sesa fitimtari (Kosova është fitimtare e luftës) të kthehet në humbës, të izolohet dhe të kërkojë madje edhe nga ne që jemi me mish e me shpirt bashkë që të izolohemi nga proceset që vetëm janë në funksion”.
Rama ka thënë se çështja e Kosovës në raport me Serbinë, nuk mund të zgjidhet me kërcitje dhëmbësh dhe vetizolim, por mund të zgjidhet vetëm duke folur.
“Nuk di unë ndonjë konflikt në këtë botë që zgjidhet pa folur. Natyrisht që t’i flet me kundërshtarin, me atë që deri dje ka qenë armiku yt”.