Rama: Kritikat ndaj ‘Ballkanit të hapur’ janë ekspozuar si gjepura
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur kritikave ndaj “Ballkanit të Hapur”, projekt ky që është përkrahur nga Shqipëria dhe disa vende të rajonit.
Në një konferencë për media, pas Samitit BE – Ballkani Perëndimor, që është mbajtur në Tiranë, ai ka thënë se të gjitha kritikat ndaj këtij projekti kanë qenë gjepura.
“Integrimi evropian shkon nëpërmjet integrimit rajonal, dhe plani i ri i rritjes e vulos një gjë të tillë. Të gjitha gjepurat që keni dëgjuar për Ballkanin e Hapur, të gjitha këto janë tashmë të ekspozuara si gjepura, sepse kjo është rruga. Tashmë me planin e ri të rritjes dhe sot patëm një deklaratë të përbashkët, të 6 vendet kanë rënë dakord se kjo është diçka që duhet ta bëjmë. Nuk kanë rëndësi problemet politike, duhet ta bëjmë”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë me dije se BE-ja po bën edhe një hap me tej në integrimin e vendeve të rajonit në familjen evropiane.
“Bashkimi Evropian nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej, për t’u afruar me neve në integrimin tonë, në një plan të rritjes që është një nismë e konceptuar jashtë kornize. Ky është rezultat i dialogut, ky është rezultat i nxitjes nga ana e jonë për t’u dëgjuar, kuptuar. Falë këtij angazhimi kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re, diçka të re që është mjaft konkrete dhe që mund të na dërgojë në një nivel tjetër shumë më shpejt”, ka thënë Rama.