Rama kritikon qeverisjen e Shpend Ahmetit: Prishtina e ngufatur, do t’ia kthejë shpirtin

04 korrik 2021 | 21:46

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit duke thënë se kryeqyteti është i ngufatur dhe simbol i kaosit urbanistik; nga objektet e egra, komunikacioni i dendur, gropat e thella e ndotja e ambientit.

Ramapërmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se Prishtinës duhet t’ia kthejë shpirtin.

Postimi i plotë i Ramës:

Të dashtun miq,

Misioni im për t’i dalë zot Prishtinës, ka filluar! Prishtina duhet të njihet si qytet me karakter unik në botë. Sepse e tillë është në esencë.

Jo si një qytet që është bërë simbol i kaosit urbanistik; nga objektet e egra, komunikacioni i dendur, gropat e thella e ndotja e ambientit. Qyteti jonë, sot, është tërësisht i ngufatur.

Por, kjo, as për mua dhe as për ju s’duhet të jetë arsye për zhgënjim. Përkundrazi! Është thirrje për t’i përvjelë mëngët. Dhe, pas kaq vjetësh stagnimi kjo thirrje s’mund të injorohet më!

Prishtina duhet të jetë qytet që ngërthen tradicionalen e modernen, natyrshëm. Qytet që u jep lumturi të moshuarve, rekreacion të rinjve dhe siguri prindërve. Të gjithë e duam një qytet me hapësira të mjaftueshme me gjelbërim, me vende ku nënat mund t’i shëtisin fëmijët e tyre pa brenga, ku të rinjtë bëjnë jetën, e ku më të moshuarit mund të kalojnë pasdite të qeta.

Prishtinës duhet t’i kthehet shpirti.

Ju premtoj se në këtë qytet do të ndjeheni sërish si në shtëpi. Do të marrim frymë lirshëm e do të kemi shumëçka për t’u krenuar.

Plani im e i LDK-së për Prishtinën do të bëhet, në masë të madhe, në bazë të nevojave që do t’i paraqisni ju. Sepse, ju i jepni frymë këtij qyteti, ju jeni zëri më i fuqishëm që do të dëgjohet.

Për t’ia dalë mbanë në këtë rrugëtim, ndihma juaj është e domosdoshme. Unë do të jem në çdo lagje, në çdo cep të qytetit e në secilin fshat; do t’ua zgjas dorën në rrugë e do t’u trokas derë më derë në shtëpi; do të dëgjoj vëmendshëm e do të flas hapur.

Fshatrat, ndërkaq, do ta kenë vëmendjen e kujdesin si asnjëherë më parë. Projektet tona për fshatrat e bukur që e rrethojnë Prishtinën tonë, do t’i shpalosim pasi të dëgjoj edhe kërkesat e banorëve.

Bashkë me ekipin tim dhe familjen e madhe të LDK-së, do të punojmë fort që Prishtina të jetë qyteti i të gjithëve. Kryeqytet i denjë i Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, që të jetë destinacioni më interesant në rajon për t’u vizituar nga turistët. Sepse Prishtina do të jetë metropol. Vendi që do t’i kënaqë të gjithë; ata që jetojnë këtu, ata që banojnë përkohësisht dhe ata që e vizitojnë, qoftë edhe veç një herë në jetë.

Prandaj, ka ardhur koha që të punojmë me vendoshmëri për ëndrra dhe qëllime të mëdha! Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, për t’ia dhënë të mbarën kryeqytetit tonë.

Ndonëse do të jem vazhdimisht pranë jush fizikisht, unë do të jem me ju edhe përmes kësaj platforme, ku do të komunikojmë bashkë dhe vazhdimisht për planet dhe aktivitetin tim.

Prandaj, më shkruani! Më tregoni për brengat, nevojat dhe dëshirat tuaja.

Në këtë betejë për shpirtin e qytetit tonë, ne do të ngadhënjejmë vetëm nëse jemi bashkë si një familje.

Unë, do t’i falem plotësisht Prishtinës!

Ju ftoj të na bashkangjiteni në këtë rrugëtim.

#PR4PR

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit është shprehur i bindur se as…